Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për dialogun me Serbinë.
Sipas saj, këtë të drejtë ky subjekt mund ta shfrytëzoj pas miratimit në lexim të dytë, në afat kohorë prej tetë ditësh.
“Ne kemi paralajmëruar dërgimin e këtij Projektligj në Gjykatën Kushtetuese në kohën kur është shqyrtuar në parim, gjegjësisht në seancën e së shtunës. Së pari ne kemi jashtëzakonisht shumë problem në aspektin politik, për faktin se ky projektligj nuk ia ndalon në asnjë mënyrë presidentit Thaçi që ta vazhdoj procedurën e tij të rrezikshme dhe në anën tjetër nuk e përjashton fare presidentin Thaçi nga ky proces, përkundrazi ekipi i cili është votuar me anë të një rezolute vetëm po ia shuan vetminë Hashim Thaçit dhe në aspektin politik është i papranueshëm. Pra kemi shumë arsye që ta kontestojmë këtë projektligj në aspektin Kushtetues, prandaj e drejta jonë për ta dërguar këtë projektligj në Gjykatën Kushtetuese vlen atëherë kur një projektligj shqyrtohen në shqyrtim të dytë, aty fillon të rrjedh afati tetë ditor për dërgimin e çështjeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Haxhiu.
Deputetja Haxhiu theksoi se pjesë të konsiderueshme të këtij projektligji bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nenin 18 dhe me Ligjin për marrëveshje ndërkombëtare.
“Dua t’i veçoj vetëm dy prej tyre të cilat janë më të rëndësishme. Këtij projektligji i jep fuqi ‘Lex Speciales’, e mbivendosin edhe mbi ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare që është ligj i cili derivon nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, gjegjësisht Neni 18, ku për ne është e papranueshme që ky ligj të jetë mbi ligjin për marrëveshje ndërkombëtare dhe po ashtu tenton të dal mbi Kushtetutën të këtij neni. Në fakt këtë po mundohet ta bëj dhe presidenti Thaçi përmes Gjykatës Kushtetuese dhe e dini që ai ka kërkuar interpretim të nenit 18 se kush e ka të drejtën e ratifikimit apo nënshkrimit të marrëveshjes ndërkombëtare…Pra në të dyja anët po mundohen që ta zbehin edhe marrëveshjen ndërkombëtare edhe nenin 18 të Kushtetutës, vetëm për të arritur deri tek projektet e rrezikshme që janë kundër interesave të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër ky projektligj ia merr fuqinë Kuvendit të Kosovës, që autorizon një ekip komplet që të merret me procesin e dialogut me Serbinë”, tha ndër të tjera Haxhiu për Telegrafin.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në lexim të parë me 61 vota pro ka votuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetërorë të Kosovës, në procesin e dialogut me Serbisë. /Telegrafi/