Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar ftesën e kryeministrit, Avdullah Hoti, për të qenë pjesë e delegacionit të Qeverisë për dialog me Serbinë.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu ka thënë se Qeveria Hoti është jo legjitime dhe jo kredibile, prandaj edhe nuk do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Hotit, transmeton Telegrafi.
“Thirrjet e kësaj qeverie për unitet dhe gjithëpërfshirje, sfidohen nga vet veprimet dhe shterpësia e saj. Kjo qeveri është jolegjitime dhe jokredibile pasi që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe nuk buron nga vota e tij në zgjedhjet e fundit. I mungon platforma me parime dhe vija të kuqe për procesin e dialogut – ndonëse një dokument të tillë e parasheh në programin e saj qeverisës. Nuk ka mbështetje të gjerë në Kuvend ku është e varur nga secila votë e Listës Serbe, dhe i është nënshtruar Serbisë dhe çdo kërkese të saj deri më tan”, ka shkruar ai në Facebook.
Për më shumë, reagimi i plotë:
“Lëvizja VETËVENDOSJE! sot ka pranuar një letër ftesë nga z. Hoti për pjesëmarrje fillimisht në takimin e 4 shtatorit në Washington e më pastaj në atë të 7 shtatorit në Bruksel si pjesë e delegacionit të qeverisë për dialog.
Thirrjet e kësaj qeverie për unitet dhe gjithëpërfshirje, sfidohen nga vet veprimet dhe shterpësia e saj. Kjo qeveri është jolegjitime dhe jokredibile pasiqë nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe nuk buron nga vota e tij në zgjedhjet e fundit. I mungon platforma me parime dhe vija të kuqe për procesin e dialogut – ndonëse një dokument të tillë e parasheh në programin e saj qeverisës. Nuk ka mbështetje të gjerë në Kuvend ku është e varur nga secila votë e Listës Serbe, dhe i është nënshtruar Serbisë dhe çdo kërkese të saj deri më tani.
Përkundër faktit se prioritetet e Kosovës duhet të jenë menaxhimi efikas i pandemisë COVID-19, rimëkëmbja ekonomike, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, dhe zhvillimit socio-ekonomik, kjo qeveri plotësisht e çorientuar dhe duke dështuar në secilin rrafsh po i jep vëmendje të pakushtëzuar një procesi për të cilin as nuk ka planifikim, as përgatitje, as mbështjete por as legjitimitet.
Në përputhje me qëndrimet tona në raport me këtë qeveri jolegale dhe jolegjitime, për arsyet e lartëpërmendura, por jo vetëm, Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese. Pozicioni ynë në këtë çështje është i qartë. Kosova mund të dialogojë me Serbinë vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme kur do të kemi qeveri me legjitimitet të plotë, që harton, prezanton dhe siguron unitet përmes një platforme që merr mbështetjen e 2/3 të deputetëve në Kuvend si dhe duke u nisur gjithnjë nga reciprociteti si parim i marrëdhënieve të barabarta ndërshtetërore”./Telegrafi/