Telegrafi

Kurti e Osmani pengohen në Mitrovicën e Veriut – LVV thotë se vizita u realizua në plotëni

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe bartësja e listës ‘Guxo’, Vjosa Osmani, të shtunën qëndruan për një vizitë në veri të Mitrovicës.

Por, atje nuk janë mirëprit nga serbët që jetojnë në këtë zonë.

Në një video që ka siguruar ‘Kallxo’, dëgjohen zhurma e brohoritma kundër Kurtit e Osmanit.

Por një gjë të tillë e ka mohuar Vetëvedosje.

Zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se vizita e Kurtit dhe Osmani është realizuar në plotëni.

“Kryeministri i ardhshëm i Republikës, Albin Kurti e presidentja e vendit, Vjosa Osmani kanë vizituar Mitrovicën sot. Vizita nuk është ndërprerë, por është realizuar në plotëni. Pra tubimi i paraparë është mbajtur”, ka shkruar Kryeziu.

Kryeziu ka thënë se ata nuk janë pritur nga strukturat e Listës Serbe të Beogradit duke shtuar se Kurti dhe Osmani janë antipodi i Listës Serbe.

“Atje janë mirëpritur nga qytetarët e Mitrovicës, por padyshim jo edhe nga strukturat e Listës Serbe të Beogradit që veprojnë në atë pjesë. Synimet e kësaj të fundit i njohim të gjithë, kë përfaqësojnë dhe kujt i binden. Ky reagim i tyre sot tregon më së miri se Kurti e Osmani në fakt janë antipodi edhe i Listës Serbe”, ka përfunduar Kryeziu, njofton Telegrafi.