Vetëvendosje ka reaguar pas publikimit të pamjeve, ku shihet përplasja fizike, mes kandidatit për deputet nga VV-ja, Haki Abazi dhe zyrtarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, përfshirë shoqëruesin e këtij të fundit.
Përmes një shkrimi në Facebook, Vetëvendosje thotë se Haki Abazi është sulmuar në mënyrë rrugaçërore, e nga prapa shpine.
“Ne e denoncojmë këtë krim, dhe konsiderojmë se këto imazhe e vulosin si njeri të dhunshëm e si mashtrues Dardan Molliqajn, i cili asokohe mohoi të ketë sulmuar fizikisht”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
VV-ja ka thënë se këto imazhe “vulosin si njeri të dhunshëm e si mashtrues Dardan Molliqajn”.
Kjo parti ka akuzuar edhe Rexhep Hotin e PDK-së për fshehje të vërtetës.
VV ka kërkuar nga AAK-ja, partnere e PSD-së, “të dënojë dhunën kriminale të Molliqajt”.
Më 11 shtator, kandidati i VV-së për deputet, Haki Abazi, është sulmuar nga Dardan Molliqaj dhe shoqëruesi i tij.Sulmi fizik kishte ndodhur pas një emisioni televiziv në T7.
Reagimi i plotë i Vetëvendosjes
Pamjet e dala në një portal, tregojnë sulmin brutal ndaj kandidatit për deputet të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Haki Abazit, nga ana e kandidatit të AAK-së Dardan Molliqaj dhe truprojës së tij Fatos Sahitit. Ky sulm nga ana e dy personave, njëri prej të cilëve shihet duke vënë dorën në brez kërcënueshëm, vërteton atë që kemi thënë prej fillimit. Haki Abazi është sulmuar në mënyrë rrugaçërore, e nga prapa shpine.
Ne e denoncojmë këtë krim, dhe konsiderojmë se këto imazhe e vulosin si njeri të dhunshëm e si mashtrues Dardan Molliqajn, i cili asokohe mohoi të ketë sulmuar fizikisht. Po ashtu, del se edhe Rexhep Hoti e paska fshehur të vërtetën, meqenëse dukshëm ishte dëshmitar i këtij sulmi. Të dyja partitë duhet të distancohen nga këta kandidatë, AAK duhet të dënojë dhunën kriminale të Molliqajt, e PDK-ja duhet të dënojë mashtrimin publik nga ana e Rexhep Hotit. Në të njëjtën kohë, jemi të zhgënjyer nga mosveprimi i prokurorisë, e cila i ka patur në dorë këto filmime.
Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga policia e prokuroria të marrin masa tash që e vërteta doli në shesh. Prokuroria duhet të kërkojë arrestimin e Molliqajt, i cili e ka sulmuar një person vetëm pse nuk pajtohet politikisht me të. Njëkohësisht media duhet të mos i jape hapësirë këtyre dhunuesve e mashtruesve flagrantë.