Telegrafi

Vetëvendosje i reagon Klinakut: Atij i janë terruar sytë, niveli i sigurisë për Kurtin duhet ngritur e Prokuroria të aktivizohet

Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani  dhe deputeti i LVV-së, Enver Dugolli i kanë reaguar ushtruesit të detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku i cili të martën ka thënë se më përpara do ta vriste kryeministrin Albin Kurti, sesa do ta lëshonte Kosovën.

Zogiani përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Klinaku dhe organizata e tij ka përfituar nga Qeveria e Ramush Haradinaj 20 milionë euro.

Ai tha se nuk do të ketë më përfitime financiare pa ndonjë kriter.

Lexo po ashtu “A më shumë vlen Albini, apo atdheu ynë?” – Klinaku ripërsërit deklaratën për vrasjen e kryeministrit

Tutje Zogiani u shpreh se Klinakut e të tjerëve i janë terruar sytë.

“20 milionë euro të rezervave financiare të shtetit qen shpërndarë pa kurrfarë kriteri nga Qeveria Haradinaj! Ndër të tjera aty pat marrur edhe organizata e Klinakut! Epo s’ka ma kështu, prandaj i janë terru sytë këtij dhe plotë të tjerëve si ky”, ka shkruar Zogiani.

Ndërsa deputeti i LVV-së, Enver Dugolli tha se pas deklaratës skandaloze dhe të rrezikshme e pakta që do duhej të ndodhte është dorëheqja e Faton Klinakut nga pozita e sekretarit dhe U.D. i kryetarit të OVL-së dhe kërkim falja si akt moral.

Sipas tij, veteranët e UÇK-së duhet të kërkojnë largimin e Klinakut nga posti i u.d të kryetarit.

“Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk bën të heshtin por urgjentisht të kërkojnë largimin e tij nga ai post duke u shprehur se nuk pajtohen me logjikën e vrasjes si metodë e largimit nga pushteti të Kryeministrit të Kosovës. Albin Kurtin shumë herë e kanë kërcënuar (madje gjatë luftës në burgjet serbe e kanë torturuar deri në prag të vdekjes) por nuk kanë arritur asnjëherë ta frikësojnë”, tha ai duke shtuar se “Megjithatë niveli i sigurisë për kryeministrin Kurti  duhet ngritur e Prokuroria të aktivizohet”.

Ndryshe, ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se më përpara do ta vriste kryeministrin Albin Kurti, sesa do ta lëshonte Kosovën.

Klinaku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Kosovën nuk duhet, e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të”.

Lexo po ashtu Kreu i OVL të UÇK, Klinaku: Më parë e vras Kurtin, sesa iku nga Kosova

Kreu i OVL të UÇK-së tregoi një bisedë që e ka pasur me votuesin e Kurtit, i cili sipas tij ka thënë se “s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë”, ndërsa ai iu ka përgjigjur duke thënë se “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.

“Aq shumë i dëshpëruar votuesi i tij saqë tha: Votën ia dhashë për ndryshim, e ndryshim lëre që nuk ka por po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend dhe s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë”, shkruan ai, transmeton Telegrafi. /Telegrafi/