Site icon Telegrafi

Vetëvendosje: Policia arrestoi aktivistët në aksionin ‘Drejtësi për Astritin’

Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se Policia e Kosovës po mban në stacionin policor në Besianë pesë aktivistë të kësaj lëvizje.

Aktivistët Nurije Demaliaj, Nol Nushi, Blerim Maqestena, Abër Sfishta dhe Kreshnik Gega u shoqëruan për në polici pasi kishin bërë grafite që kërkojnë drejtësi për aktivistin Astrit Dehari, që vdiq në burg më 5 nëntor 2016.

“Ky sistem që e ka burgosur Astritin pa asnjë fakt është i njëjti që ende nuk e ka bërë askënd të japë përgjegjësi për vdekjen e Astritit brenda institucionit të sigurisë. Po ky sistem sot, po do që t‘i heshtë zërat që kërkojnë drejtësi për Astritin. Por kjo kërkesë nuk mund të anulohet sepse po kërkohen anekënd Kosovës. Qytetarët nuk mund të pajtohen me padrejtësinë e vdekjes së Astritit dhe me faktin që ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi. ‘Drejtësi për Astritin’ është thirrja jonë e pareshtur deri në realizimin e saj si kërkesë”.

Vetëvendosje theksoi se arrestimi i aktivistëve sot është skandal i radhës i këtij pushteti.

“Askush nuk mund ta ndalë këmbënguljen për drejtësi”, thuhet në komunikatë.

Mësohet se aktivistët e Vetëvendosjes janë shoqëruar në Polici, pasi kishin shkruar grafitin në murin e objektit të Komunës. /Telegrafi/

Exit mobile version