Site icon Telegrafi

Vetëvendosje e pezullon nga partia mësimdhënësin e arrestuar për ngacmim seksual të nxënëseve në Vushtrri

Mësimdhënësit të Gjimnazit “Eqrem Çabej” në Vushtrri, Hysen Ademi, i cili është arrestuar dhe suspenduar nga puna nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëse, i është pezulluar edhe statusi i anëtarit në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Pas raportimeve të medieve për ngacmim seksual të dy nxënëseve të Gjimnazit “Eqrem Çabej”, nga mësimdhënësi Hysen Ademi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, rasti është adresuar në Komisionin Disiplinor në kuadër të Lëvizjes, me kërkesë të kryetarit të Qendrës, Besim Muzaqi”, thuhet në njoftimin e LVV-së, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Vushtrri, suspendohet nga puna mësimdhënësi që dyshohet se ngacmoi seksualisht një nxënëse

“Ky rast është trajtuar me prioritet nga Komisioni Disiplinor i cili ka marrë vendim që Hysen Ademi, anëtar i Lëvizjes Vetëvenosje, t’i pezullohet statusi i anëtarit në Lëvizjen Vetëvendosje”.

“Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri shpreh keqardhje për situatën e krijuar dhe fton organet e drejtësisë që t’i zhvillojnë hetimet dhe kërkojmë që ky rast të zbardhet sa më parë.

Drejtoria për Arsim e Komunës së Vushtrrisë ka suspenduar mësimdhënësin e Edukatës fizike H.A në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Vushtrri, i cili është ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës me dyshimin se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse.

Në njoftim thuhet se mësimdhënësit i është shqiptuar masa disiplinore “largim i përkohshëm nga puna”. /Telegrafi/

Foto: Ilustrim

Exit mobile version