Site icon Telegrafi

Vetëvendosje nuk merr pjesë në takimin e së mërkurës

Përderisa për takimin e së mërkurës deri më tani e kanë konfirmuar pjesëmarrjen tri liderët e partive politike, të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, partia më e madhe opozitare në vend Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë për Telegrafin se nuk do të marrin pjesë në këtë takim, pasi për ta nuk është e rëndësishme.

Sipas, zëdhënësit të LVV-së, Frashër Krasniqi, faktet janë dhënë nga ekspertë të fushës dhe zgjidhja e vetme për ta janë protestat në rrugë e sheshe.

“Ne nuk e shohim të rëndësishme të marrim pjesë në takime të këtij lloji, pasi që tashmë është krejt e qartë se ky demarkacion me Malin e Zi është gabim. Faktet përfundimisht u dhanë edhe në një debat mes ekspertësh. Qeveria s’është e interesuar t’i marrë parasysh, kështu që e vetmja zgjidhje mbetet mobilizimi qytetar, protestat në rrugë e sheshe”, tha ai për Telegrafin.

Krasniqi gjithashtu theksoi, se Ramiz Kelmendi është një nga njerëzit që i bën më së shumti dëm këtij vendi, saktësisht ekonomisë së Kosovës.

“ Ai është importuesi më i madh i produkteve serbe, e rrjedhimisht dëmtuesi më i madh i produkteve vendore. Ky njeri për ne nuk ka legjitimitet, dhe ne nuk mund të kemi besim në njeri, i cili synim të vetëm ka interesin dhe përfitimin personal”, tha ndër të tjera Frashër Krasniqi./Telegrafi/

Exit mobile version