Site icon Telegrafi

Vetëvendosje në Bruksel tregon se është e gatshme ta drejtojë Qeverinë

Lëvizja Vetëvendosje ia ka shpalosur prioritetet e programit qeverisës komisionarit për zgjerim, Johanes Hahn, në Bruksel.

Të enjten, delegacioni i përbërë nga Albin Kurti, Visar Ymeri e Shpend Ahmeti, kanë përmbyllur një takimin treditësh atje.

Kurti ka thënë se qëndrimi i tyre për demarkacionin, i shpalosur para Hanit, ishte se VV-ja nuk e fajëson Malin e Zi, por Qeverinë e Kosovës, teksa theksoi se ai më shumë ka qenë ndryshim kufiri se përcaktim kufiri.

Lideri i Vetëvendosjes tha se duhet të bëhet dialog me Bashkimin Evropian për dialogun me Serbinë.

Gjatë këtyre ditëve, delegacioni ka takuar edhe shefin e Delegacionit për Kosovën, Tonino Piculla, raportuesen për vizat, Tanja Fajon, dhe deputetë tjerë të partive socialiste dhe demokrate evropiane.

Zyrtarët evropianë, pas këtyre takimeve, kanë përsëritur se ata nuk do të ndërhyjnë në procesin e formimit të qeverisë në Kosovë, por do të vazhdojnë bashkëpunimin me qeverinë e re. /Telegrafi/

Exit mobile version