Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me komunikatën e MASHT-it lëshuar më herët me anë së cilës shprehin shqetësimet e tyre në lidhje me protestat e nxënësve të Prishtinës për rastin e Astrit Deharit.
MASHT akuzon VV-në për përdorimin e nxënësve për qëllimet e tyre politike.
Por këtë e mohon Vetëvendosje.
“Pretendimi se Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë të nxënësve të Prishtinës është i pavërtetë. Vetëvendosje nuk është organizatore e kësaj proteste dhe rrjedhimisht nuk ka bërë kurrfarë paralajmërimi për të. Aktivistët e kësaj Lëvizje sigurisht që mund të marrin pjesë në protestat me të cilat pajtohen dhe kjo është një prej tyre. Kërkesa për drejtësi për Astritin është kërkesë e të gjithë qytetarëve, e jo vetëm e Vetëvendosjes. Por jo edhe e shtetit të kapur e as e kapësve të shtetit”, thuhet në reagimin e VV-së.
Në njoftimin e VV-së thuhet edhe se ‘Ministria e Arsimit e cila e akuzon padrejtësisht Vetëvendosjen për instrumentalizim të nxënësve, po e bën të njëjtën gjë vetë. Thirrja që ata të mos dalin në protestë është përpjekje për instrumentalizim direkt të tyre. Madje, Lëvizja as nuk ka lëshuar ndonjë komunikatë siç ka bërë ky institucion i dobët i qeverisë”.
Tutje në komunikatë thuhet se MASHT-i që nuk e ka thënë asnjë fjalë për vdekjen e studentit Astrit Dehari që ka vdekur 13 ditë më parë në burg, konfirmoi në këtë rast se është vegël e keqpërdorur nga Qeveria duke tejkaluar kompetencat e veta kur u bën thirrje qytetarëve që të mos dalin në protestë.
“MAShT-i duhet të merret me politikat e arsimit e jo me policimin e nxënësve e mësimdhënësve. Thirrja e tyre është ofendim i rëndë që u bëhet qytetarëve duke i konsideruar ata si të manipulueshëm. Ky institucion në asnjë mënyrë nuk guxon t’u bëjë thirrje: nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe drejtorëve të shkollave që të mos dalin në protesta. Ky është presion i hapur, shkelje elementare e të drejtave themelore dhe për më keq është pozicionim në anën e padrejtësisë. Këto janë shenja të shteteve autoritare”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes. /Telegrafi/