Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë kërkuar të premten nga Qeveria e Kosovës, zbatimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për Telekomin e Kosovës, i cili vazhdon të jetë në gjendje të vështirë financiare.
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, tha se është i shqetësuar me mos përmbushjen e kërkesave të deputetëve nga Qeveria për Telekomin.
“Më 12 korrik të këtij viti parlamenti ka aprovuar një rezolutë e cila trajton situatën financiare në Telekom. Kjo rezolutë ka 12 pika ku precizon kërkesat ndaj qeverisë. Që nga ajo ditë si qeveria auditori dhe prokuroria kanë ndërmarrë veprime për te jetësuar kërkesat e deputetëve. Mos respektimi i kërkesave të rezolutës është mos respektim i rolit të Kuvendit”, tha ai.
Nëse rezolutat kanë peshë, siaps Bislimit, këtë duhet ta dëshmoj Qeveria e Kosovës.
“Kjo Qeveri nuk mund të dëshmojë se nuk ka implementuar qoftë edhe vetëm një rezolutë të aprovuar nga Kuvendi. Nëse kjo Qeveri beson se rezolutat kanë peshe dhe mund ta ndalin presidentin kanë pasur mundësi të na tregojnë për peshën e rezolutave. Qeveria na ka dëshmuar se edhe këtë rezolutë e duan vetëm për ta shkelur”, tha ai.
Edhe profesori Salem Lepaja ka kërkuar që rezoluta e kuvendit për gjendjen financiare në Telekom të përmbushet.
“Në këtë sektor po duan ta thellojnë krizën të cilën më herët e kanë programuar vetë. Në Telekomin e Kosovës krimi po ka avokat edhe qeverinë. Kriza në Telekomin e Kosovës vazhdon të thellohet”, ka theksuar Lepaja.
Ndryshe Telekomi i Kosovës, vazhdon të jetë ën krizë duke mos mundur t’i shlyejë edhe borxhet të cilat kanë shkuar në 60 milionë euro. /Telegrafi/