Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar pas deklaratës skandaloze të anëtarit të Nismës, Haxhi Hoti, pasi ky i fundit tha se, Kurti i ka dy rrugë, të lëshojë Kosovën ose të vritet.
Vetëvendosje ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Hotit, duke e quajtur kërcënim brutal.
“Pasi u sinjalizuam nga mediat për një kërcënim brutal drejtuar kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurtit, përfaqësuesi i zyrës ligjore të Lëvizjes, Berat Ganiqi, dorëzoi një kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e LVV-së.
LVV thotë se nuk e di nëse ka qenë deklarate e porositur, por duhet t’i zbulojë policia e prokuroria.
“Ne nuk e dimë nëse ai kërcënim ka qenë i porositur, gjakftohtë, apo i nxitur nga kultura e urrejtjes ndaj Lëvizjes, e cila është kultivuar për vite me radhë nga subjektet e pushtetit, që janë pasuruar paligjshëm duke varfëruar Kosovën. Këto gjëra duhet t’i zbulojë policia e prokuroria.”, thotë Vetëvendosje.
Sipas tyre, Hoti është edhe adhurues i madh i presidentit Thaçi.
“Megjithatë, rasti ka rrethana rënduese, për shkak se kërcënuesi është pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Republikës, nga një parti e koalicionit PAN, të shquar për keqqeverisje e kapje të shtetit. Përveç subjektit të vet partiak, nga postimet e tij publike në rrjete sociale kuptohet se kërcënuesi është edhe adhurues i madh i presidentit të Republikës”.
LVV ka thënë se pret nga policia e prokuroria të veprojnë sipas ligjit.
“Shpesh e shohim fenomenin e përzierjes së elementëve me prirje të dhunshme e kriminale me elitat politike, ligjvënëse e ekzekutive. Pikërisht këtë fenomen synon ta luftojë Lëvizja VETËVENDOSJE! Populli i Kosovës nuk dëshiron që kriminelët të jenë në pozita pushteti.
I vlerësojmë faktorët publikë e politikë, si edhe qytetarët që distancohen dhe dënojnë pa ekuivok dhe pa relativizim këtë sjellje të papranueshme. Presim nga policia e prokuroria të veprojnë sipas ligjit.
Kosova e ka vetëm një rrugë përpara, atë të ligjit e të zhvillimit, në luftë pa kompromis kundër krimit, pabarazisë dhe injorancës”, thuhet në fund./Telegrafi/