Site icon Telegrafi

Kurti bën homazhe për Balajn e Xheladinin, mungojnë shumë deputet të Vetëvendosjes

Janë bërë 11 vjet nga protesta e 10 shkurtit të vitit 2007, nga e cila mbetën të vrarë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj e Arben Xheladini.

Protestën e para njëmbëdhjetë vjetëve e kujton mirë lideri i kësaj Lëvizje, Albin Kurti, i cili tha se në atë protestë 232 plumba u shkrepen në trupin dhe kokat e protestuesve nga distancat e vogla.

Derisa, armatimin që kishin policët rumun, sipas Kurtit, nuk ishte për ekspozim, por për përdorim ndaj tyre.

Por 11 vjetori i vdekjes së dy aktivistëve e gjeti Lëvizjen Vetëvendosje të ndarë e me plot mospajtime.

Për t’u dërguar lule Balajt e Xheladinit në sheshin ‘Nëna Terezë’ kishin shkuar kryetari i partisë Albin Kurti, dhe disa nga figurat që janë në mbështetje të tij, siç janë; Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Mytaher Haskuka, Ismajl Kurteshi, përcjell Telegrafi.

Mirëpo, aty nuk u pa askush nga i ashtuquajturi grup i ish-sekretarit organizativ, Dardan Molliqaj.

I vetmi që mori pjesë në këtë organizim ka qenë Visar Ymeri, por i cili nuk ka vendosur kurora lulesh pranë pllakës përkujtimore.

Ishte kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti që po ashtu u pa që qëndronte madje shumë afër Kurtit.

Ahmeti deri më tani është emri më i përfolur në këtë ndarje dhe nuk ka deklaruar asgjë të qartë, sado që shumë herë mediat dhe analistët e rreshtuan në krahun kundërshtues të Kurtit.

Kujtojmë që më 10 shkurt 2007 u vranë nga Policia rumune e UNMIK-ut dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, derisa protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit, shkruan tutje./Telegrafi/

Exit mobile version