Telegrafi

Vetëvendosje e PSD mosmarrëveshje për pozitën e nënkryetares Aida Dërguti

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës tha se nuk do të përkrahin asnjë marrëveshje ndërkombëtare nëse nuk aprovohet kërkesa për të pasur kuorum në Kuvend në momentin e votimit për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit,  Aida Dërguti.

Ajo tha se pozicioni i nënkryetarit i takon Lëvizjes Vetëvendosje dhe jo partisë se deputetëve të pavarur, aktualisht Partisë Social Demokratike (PSD), të cilët ishin pjesë e VV-së.

Sipas Haxhiut, Aida Dërguti duhet të kishte dhënë dorëheqje nga pozicioni i nënkryetares.

Ajo po ashtu sqaroi se janë pro Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar, mirëpo nuk do ta votojnë pa u miratuar kërkesa e VV-së.

“Konsiderojmë që është një projektligj i duhur dhe e mbështesim. Por kërkesa e grupit është që nuk mund të votojmë për këtë projektligj nëse Kuvendi nuk e mundëson kuorumin e deputetëve për shkarkimin e Aida Dërgutit. Prej momentit që disa deputet të VV-së kanë formuar një grup të pavarur pozicioni i nënkryetarit i takon VV-së në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kemi prit nga zonja Dërguti që të jap dorëheqje por kjo nuk ka ndodh. Prandaj ne kemi kërkuar shkarkimin e saj meqë ajo nuk po dorëheqjet. Nuk do të përkrahim asnjë marrëveshje ndërkombëtare  nëse nuk aprovohet kërkesa jonë”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, edhe deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi ka reaguar në Facebook lidhur me këtë çështje.

“VV sapo deklaroi që nuk do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare të Kosovës, pa u hedhur në votim shkarkimi i Aida Dergutit nga nënkryetarja Kuvendit. Kush po lufton për pozita këtu?! Kush qenka në gjendje me e demtu interesin shtetëror për shkak të një pozite?”, shkruan Krasniqi.

Ndryshe, Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar, nuk mori miratimin e 2/3 të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/