Lëvizja Vetëvendosje e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e veprimeve antikushtetuese të Presidentit për siç thuhet në rastin e nxitjes, bindjes dhe detyrimit të deputetit Haxhi Shala për të ndryshuar qëndrimin për votën ndaj Qeverisë Hoti.
Në njoftim e VV-së thuhet se jashtë autorizimeve e në cenim të rëndë të vlerave, parimeve kushtetuese e demokratike, të ndarjes së pushteteve e ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, Presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Lexoni të plotë njoftimin:
“Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e veprimeve antikushtetuese të Presidentit në rastin e nxitjes, bindjes dhe detyrimit të deputetit Haxhi Shala për të ndryshuar qëndrimin për votën ndaj Qeverisë edhe ashtu jolegjitime.
Jashtë autorizimeve e në cenim të rëndë të vlerave, parimeve kushtetuese e demokratike, të ndarjes së pushteteve e ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, Presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Ai në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar që deputeti Shala të ndërroi qëndrimin dhe votën në seancën e jashtëzakonshme plenare të Kuvendit të Republikës të datës 3 qershor.
Si një Qeveri pa legjitimitet dhe e paligjshme, të vetmen mbështetje e kishte tek aranzhimet jokushtetuese në të gjitha fazat e saj. Tablonë e plotë të veprimeve antikushtetues të kësaj skeme e përmbushi rasti i ndërhyrjes dhe ndikimit mbi deputetin Haxhi Shala, duke i shkuar në shtëpi pasmesnatës. Këtë fakt, e shpalosi edhe publikisht deputeti i shënjestruar, por u konfirmua edhe nga vetë Thaçi e Haradinaj.
Është e tepërt të thuhet më, se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i lejon Presidentit rol aktiv në skenën politike, sepse kjo çfarë ka bërë Thaçi nuk është vetëm angazhim aktiv politik, por edhe ndërhyrje e rëndë në rendin tonë kushtetues, por as si e tillë nuk është e para”. /Telegrafi/