Telegrafi

Veteranët rusë për Putinin: Ai idiot është futur në luftë me të gjithë botën – krijoi rrethana në të cilat ne nuk mund të fitojmë në Ukrainë

Pasi u tërhoq nga Forcat Ajrore Ruse në gradën e nënkolonelit, Vitaly Votanovsky u përfshi në aktivizmin politik në qytetin jugor të Rusisë, Krasnodar.

Tani, ai është një kundërshtar i zhurmshëm i pushtimit të Ukrainës dhe është arrestuar vazhdimisht për fotografimin e varreve të ushtarëve të vdekur.

“Putini shkatërroi burimet e mobilizimit ushtarak të vendit me duart e tij dhe tani ky idiot është futur në luftë me të gjithë botën”, ka thënë Votanovsky për The Moscow Times, përcjell Telegrafi.

“Ai krijoi rrethana në të cilat ne nuk mund të fitojmë”.

Si njëri nga veteranët ushtarakë që kanë qenë publikisht kritikë ndaj sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe mobilizimit të rezervave ushtarake nga ana e Kremlinit, Votanovsky dhe të tjerë si ai janë shënjestruar nga ligjet e censurës së kohës së luftës.

“Ne [veteranët] të gjithë flasim dhe diskutojmë se çfarë po ndodh”, ka thënë Nikolai Prokudin, një veteran 61-vjeçar i pushtimit sovjetik të Afganistanit, i cili kundërshton luftën në Ukrainë.

“Ka njerëz me pikëpamje identike me të miat, të tjerët janë më pak radikalë… Por shumica e njerëzve mashtrohen nga propaganda”, mendon ai.

Prokudin ishte bashkëautor i një peticioni vitin e kaluar kundër një “përshkallëzimi të luftës” në Ukrainë me kolegun e tij veteran Sergei Gulyaev, i cili shërbeu si oficer i inteligjencës sovjetike në Afganistan.

Ndërsa disa tërhoqën nënshkrimin nga peticioni, Gulyaev nuk e ka hequr emrin e tij.

“Nuk e di nëse do të më thërrasin për mobilizim”, citohet të ketë thënë ai për The Moscow Times. “Por unë definitivisht nuk do të shkoj të luftoj kundër Ukrainës. Më mirë të burgosem”.

Një arsye pse Gulyaev ka një ndjenjë të tillë për Ukrainën është sepse një ushtar sovjetik nga Ukraina i shpëtoi jetën në Afganistan.

Djali i atij njeriu, një ushtar në ushtrinë ukrainase, u vra në vitin 2014 në një betejë me separatistët e mbështetur nga Rusia.

Ish anëtarët e ushtrisë të intervistuar nga The Moscow Times përmendën arsye të ndryshme për të kundërshtuar luftën: ndërsa disa e quajnë atë një sulm “të padrejtë” ndaj një fqinji më të vogël, të tjerë ishin të shqetësuar se do të shkaktonte dhimbje të papërshkrueshme për Rusinë. /Telegrafi/