Viti 2015 për Jenson Button do të mbetet një vit krejtësisht për t’u harruar, si në aspektin sportiv, ashtu dhe në atë personal.
Piloti britanik (nëpërmjet përfaqësuesit të tij) bëri të ditur ndarjen nga bashkëshortja Jessica Michibata, vetëm pas një viti martesë, transmeton Top Channel.
Përpara se të njihej me modelen japoneze (në vitin 2008), Button kishte famën e një hamshori të vërtetë, por bukuroshja Jessica e ndryshoi tërësisht në këtë aspekt 35-vjeçarin duke e bërë një person më të pjekur.
Çifti u martua me një ceremoni tipike havaiane dhe të dy kanë qenë bashkë në çdo udhëtim të bërë, në vendet ku zhvilloheshin garat e Formula 1.
Gjithçka dukej e përsosur mes tyre, ndaj dhe ndarja rezultoi një befasi e vërtetë.
“Button dhe Jessica kërkuan t’i japin më shumë kohë lidhjes së tyre dhe vendosën që të merrnin rrugë të ndara. Kjo është një ndarje e bërë në mënyrë miqësore”, ka deklaruar zëdhënësi i pilotit të McLarenit.