Telegrafi

‘Vetëm imagjinojeni ferrin’: Zelensky përshkruan situatën në Mariupol, vlerëson guximin e luftëtarëve që po përgatiten për ‘betejën përfundimtare’

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka përshkruar situatën në Mariupol si “ferr”, ndërsa luftëtarët ukrainas përgatiten për atë që mund të jetë beteja e tyre përfundimtare kundër Rusisë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vlerësohet se rreth 2,000 luftëtarë ukrainas janë në tunele nën fabrikën e çelikut Azovstal.

Ata janë vendi i fundit i rezistencës në një qytet pothuajse tërësisht të shkatërruar nga dy muaj bombardime intensive.

Aty besohet gjithashtu se ka ende disa qindra civilë të bllokuar, megjithëse Zelensky tha se më shumë se 150 njerëz nga uzina e çelikut dhe më shumë se 300 njerëz nga periferitë e qytetit ishin evakuuar këtë javë.

Lexo po ashtu "Njerëzit filluan të mendojnë për vetëvrasje”: Të evakuuarit përshkruajnë kushtet 'si në ferr' brenda fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol

Duke folur në orët e para të së premtes, Zelensky tha: “Aktualisht, granatimet dhe sulmet ruse ndaj Azovstal nuk po ndalen, por civilët ende duhet të nxirren jashtë – gra, fëmijë, shumë fëmijë që janë ende atje”.

“Vetëm imagjinojeni këtë ferr. Dhe aty ka fëmijë”.

“Më shumë se dy muaj granatime të vazhdueshme, bombardime, vdekje të vazhdueshme aty pranë”.

Ai vlerësoi mbrojtësit ukrainas të qytetit, duke thënë se shumë prej tyre janë të plagosur “por ata nuk dorëzohen – ata po mbajnë pozicionet”. /Telegrafi/