Site icon Telegrafi

Veseli: Trepça do zgjidhje urgjente që të jetë forcë shtytëse e zhvillimit të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot ka zhvilluar një vizitë në ndërmarrjen “Trepça”, gjatë të cilës ka takuar menaxhmentin dhe punëtorët e saj.

Kryetari Veseli gjatë takimit me drejtorin e “Trepçës”, Ahmet Tmavën dhe drejtuesit tjerë të lartë, u interesua për gjendjen aktuale të këtij gjiganti industrial, kushtet e punës si dhe kapacitetet prodhuese të saj.

Në takim u fol rreth strategjisë së re për “Trepçën” e cila do të mundësoj rivitalizimin e kombinatit. Këtu u tha se duhet përshpejtuar dinamika e hartimit të kësaj strategjie, që të dilet nga situata aktuale e gjigantit metalurgjik.

Siç bëhet e ditur në një njoftim, kryetari Veseli theksoi se menaxhmenti dhe përfaqësuesit e punëtorëve duhet të jenë pjesë e hartimit të strategjisë. Duhet krijuar kushtet që deri në krijimin e statusit final për “Trepçën”, puna të vijojë pa ndërprerë, theksoi Kryetari Veseli, duke vënë pah pasurinë e madhe të cilën e disponojmë këtu si shtet, por duhet gjetur sa më shpejt mënyra për konkretizimin në vlerë për qytetarët tanë.

“Trepça ishte në të kaluarën pjesë e krenarisë tonë por sot duhet bërë më shumë të gjithë ne së bashku, në mënyrë që Kosova të përfitojë nga këto resurse të jashtëzakonshme”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Më tej, ai ka theksuar se Trepça do të jetë forcë shtytëse e zhvillimit të Kosovës dhe përmirësimit të bilancit të saj tregtar.

“Veseli theksoi po ashtu se Kuvendi i Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me Qeverinë dhe faktorët tjerë relevant për përmirësimin e gjendjes aktuale në Kombinat”.

Në takim u diskutua nevoja e përzgjedhjes së bordit të AKP-së i cili i hap rrugë zhvillimit, sidomos komercializimit të mbetjeve industriale.

Në takim u fol për nevojën që sa më shpejtë të bëhet definimi i statusit të Kombinatit, modalitetet më të mira për rivitalizimin eventual të “Trepçës”, duke marrë parasysh partneritetin publik-privat por edhe privatizimin e njësive të cilat nuk janë aktivizuar deri më tash.

Drejtori Tmava e quajti vizitën e kryekuvendarit Veseli si shumë inkurajuese dhe kthesë pozitive për “Trepçë” duke potencuar se Trepça po hyn në fazën e sqarimit të statusit të saj.

Pas takimit, kryetari Veseli së bashku me menaxhmentin ka vizituar edhe Elektrolizën e zinkut dhe u njoh nga drejtuesit e saj me kapacitetet prodhuese dhe synimet e tyre për të ardhmen. /Telegrafi/

Exit mobile version