Site icon Telegrafi

Veseli takon Lajçakun: Kosovës i duhet një marrëveshje finale me Serbinë, që sjellë njohje reciproke dhe ulëse në OKB

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, gjatë takimit që ka pasur me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Çështje të tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak kanë biseduar për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një njoftimit për media, Veseli ka thënë se PDK-ja e mbështetë procesin e dialogut dhe është e vetmja që ka propozuar një platformë për këtë çështje.

Sipas tij, PDK konsideron që marrëveshja finale me Serbinë është interes strategjik i Kosovës për anëtarësim në BE dhe në OKB.

“Është inkurajues pozicioni i përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, që në emër të Bashkimit Evropian ka një agjendë të qartë për ta përmbyllur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje finale. Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdoj që si opozitë të jap kontributin e saj, ku si bazë mbështetje ka vullnetin e qytetarëve dhe Kushtetutën.” ka thënë Veseli.

Veseli ka folur edhe për nevojën e një koordinimi më të drejtpërdrejt me SHBA-të.

Siç thuhet tutje në njoftim, PDK-ja e mbështet vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare që është në përputhje me platformën tashmë të njohur të saj, e cila garanton njohjen e ndërsjellë, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, karakterin unitar të shtetit dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version