Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar për ndalimin e zyrtarit të Partisë Serbe, Srgjan Jovanoviq, nga autoritetet e Serbisë.
Veseli në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se ndalimi i Jovanoviqit është veprim i papranueshëm që synon të përndjekë serbët e Kosovës.
Ai i ka shkruar se Bashkimi evropian duhet të kërkoj nga Serbia të ndalë këto veprime provokuese.
“Ndalimi dhe marrja në pyetje nga autoritetet e Serbisë të një zyrtari tjetër të Partisë Liberale Serbe, Srgjan Jovanoviq e që është edhe anëtar i Qeverisë së Republikës së Kosovës është veprim i papranueshëm dhe që synon të përndjekë serbët e Kosovës që duan të integrohen në shtetin tonë. Ky është një akt që ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe pasigurisë tek serbët e Kosovës.
Bashkimi Evropian duhet të reagojë dhe të kërkojë nga Serbia që të ndalë këto veprime provokuese. Këto akte dëshmojnë mungesë të vullnetit të Serbisë për të dialoguar e për t’u pajtuar. Veprime të tilla nuk duhet të përsëriten më”, ka shkruar në Facebook, Kadri Veseli./Telegrafi/