Një person i moshës 39 vjet është vrarë pasditen e sotme në lagjen “Fidanishte” në Pejë, deri më tani në rrethana ende të pa çarta.
Policia përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se personi i vrarë është Mentor Zeka.
Ndërkaq prokurori Haxhi Sinanaj ka thënë për Kallxo.com se se viktima është qëlluar me plumba dhe dyshohet se është therur edhe me thikë.
Më poshtë njoftimi i plotë i Policisë:
Ju informojmë se sot me datë 06.03.2017 rreth orës 16:16, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale në Pejë ka pranuar informacionin se në lagjen Fidanishte në Pejë ka ndodhur një gjuajtje me armë zjarri, me ç’rast një person kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, sipas konfirmimit të ekipit mjekësor.
Personi viktimë i vrasjes është M.Z. 1978, banues në lagjen Fidanishte.
Njësitet relevante të PK-së, pas marrjes se informacionit menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes për të siguruar prova dhe dëshmi dhe për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, dhe lidhur me këtë menjëherë është informuar prokurori i shtetit i cili po ashtu ka dalë ne vendin e ngjarjes për të udhëhequr me këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe veprimet tjera operativo-hetimore për të mësuar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarje dhe identifikuar të dyshimit.
Këto njësite për momentin ende janë në vendin e ngjarjes dhe lidhur me informacione tjera plotësuese do të informoheni me kohë./Telegrafi/