Telegrafi

Vërshimet në Gjilan, Hyseni iu bën thirrje qytetarëve të mos hedhin mbeturina në lumenj

Pas vërshimeve në Gjilan dhe në disa fshatra të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme, ka reaguar kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni.

Sipas njoftimit të komunës, ai ka apeluar te qytetarët që të mos hedhin mbeturina në shtretërit e lumenjve dhe hapësira publike, pasi si pasojë ka thënë se po bllokohet rrjedha e ujit të lumenjve.

Pavarësisht masave preventive të ndërmarra në parandalimin e vërshimeve, për shkak të reshjeve të mëdha dhe bllokimit te shtratit të lumit nga mbeturinat, dje kemi pasur dalje të ujit nga shtrati i lumit Stanishor në disa lokalitete, ku uji ka depërtuar edhe në oborret e disa shtëpive dhe bodrumet e tyre.

“Ju bëjmë apel të gjithë qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në shtretërit e lumenjve dhe hapësira publike, si pasojë e të cilave po bllokohet rrjedha e ujit të lumenjve”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, është bërë e ditur se Drejtoria për Mbrojtje e Shpëtim si dhe ekipi i Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, që nga orët e hershme të mëngjesit kanë dalë në zonat të cilat janë prekur nga vërshimet dhe kanë intervenuar në pastrimin e disa pikave nga mbeturinat.

“Me të marrë lajmin, kemi aktivizuar komisionin për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe ata janë në proces të shqyrtimit të dëmeve të shkaktuara”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/