Telegrafi

Vërshimet në Gjakovë, një familje së bashku me një foshnje evakuohet nga shtëpia

Një familje është evakuuar në rrugën “Shotë Galica”, në Gjakovë, kjo pasi shtëpia e tyre është vërshuar nga të reshurat e dendura të shiut të cilat po mbizotërojnë në vendin tonë që nga e premtja.

Në një video të publikuar në TV Syri Vision, shihet kjo familje e cila nxirret përmes një barke nga disa qytetarë.

Në pamje shihet po ashtu edhe një qytetar me foshnjën në krah, të cilën më pas ia jep familjarëve.

Ndërkaq, gjendje e rëndë është paraqitur edhe në rrugët e Rogovës së Hasit pas reshjeve të fundit, si dhe në Krushë të Madhe të Rahovecit.

Ndryshe, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vranësirat parashihen të shoqërohen me reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.

Dita e shtunë parashihet të ketë më shumë reshje shiu, duke e përfshirë tërë territorin e vendit. /Telegrafi/