Telegrafi

Vërshime përgjatë vijës kufitare Francë-Itali, humbin jetën nëntë persona – rrugët shndërrohen në “lumenj”

Trupi i pajetë i një gruaje është nxjerr nga Deti Mesdhe, ku numri i viktimave nga vërshimet në zonat malore përgjatë vijës kufitare Francë-Itali ka shkuar në 9. Dyshohet se 20 tjerë po konsiderohen si të zhdukur.

Ekipet e shpëtimit kanë nxjerr trupin e pajetë nga deti në afërsi të komunës Imperia. E trupat e pesë meshkujve janë gjetur në det në afërsi të San Remos, në plazhin italian përgjatë vijës kufitare në Ventimili, transmeton Telegrafi.

Reshjet e mëdha të shiut i kanë shndërruar zonat malore në juglindje të Francës në det, e situatë e njëjtë është edhe në veriperëndim të Italisë, ku moti i ligë ka goditur këtë rajon nga e premtja.

Ekipet e zjarrfikësve në alpet franceze Alp-Maritim ende janë duke kërkuar personat që janë shpallur të zhdukur, e sipas dëshmitarëve ata i ka marrë me vete “uji i rrëmbyeshëm”, ku në mesin e tyre janë edhe dy zjarrfikës që ishin futur në ujë për t’i ndihmuar.

Disa pjesë të Francës dhe Italisë, përveç se janë duke luftuar me pandeminë e coronavirusit dhe numrit të madh të infektuarve, autoritetet kompetente të këtyre vendeve po bëjnë të pamundurën që të shpëtojnë qytetarët që kanë ngecur në zonat e përfshira nga moti i ligë. /Telegrafi/