Edhe pse jemi në stinën e dimrit në vend po mbizotëron mot me temperatura të larta dhe me diell.
E, kur jemi te moti i ngrohtë, çdo gjë merr jetë e gjallërohet në natyrë dhe njerëzit dalin e frekuentojnë zona të qeta e relaksuese.
Ekipi i Telegrafit sot vizitoi Parkun e Gërmisë. Aty disa qytetarë kishin dalë për të ecur, disa të tjerë vraponin, e të tjerët shijonin pamjen magjepsëse të pishave e gjelbërimit që rrethonte çdo zonë të saj.
Njëri nga qytetarët, Zahir Sahiti në një prononcim për Telegrafin tha se del çdo ditë në Gërmi ecën deri në 12 km.
“Shpesh dal në parkun e Gërmisë, veç ndonjë rast ekstrem që s’muj me dal – nuk dal se përndryshe dal rregullisht. Eci nja 10-12 km/ s’ka ndalesë, shi, borë. Dita e mirë nuk ia huqi hiç”.
Edhe Murat Cërvadiku nga Prishtina tha se në Gërmi del për të ecur që nga viti 1988.
Ai tha se kjo i bën mirë për shëndetin dhe e mban më të relaksuar.
“Dal gati prej vitit 1988…sidomos këto vitet e fundit rregullisht, dhe kjo vetëm e vetëm për relaksim të trupit. E kisha rekomandu çdo njeri që të lëviz, se lëvizja është baza e shëndetit”, ka thënë Cervadiku.
Ndryshe, sot ka mbajtur mot kryesisht me diell në pjesën e parë të ditës, ndërsa pasdite pritet shtim i vranësirave.
Në jug të vendit mund të ketë ndonjë reshje të izoluar shiu.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 3 deri në 7 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale prej 15 deri në 19 gradë. /Telegrafi/