Telegrafi

Veprimet e fundit të Ukrainës tregojnë se operacioni për çlirimin e Krimesë po shkon sipas planit?

Operacioni i Ukrainës për të bllokuar linjat e furnizimit në Krimenë e aneksuar dhe për ta bërë atë të paqëndrueshme për rusët okupues po shkon sipas planit, me Kievin një hap më afër një përpjekjeje për të çliruar gadishullin e Detit të Zi, ka thënë një zyrtar të enjten.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, gadishulli u trondit nga shpërthime të mërkurën dhe të enjten ndërsa sulmet kishin në shënjestër flotën e marinës ruse të Detit të Zi dhe dëmtuan një anije të madhe dhe një nëndetëse në një bazë detare kryesore në Sevastopol; dhe një bateri e mbrojtjes ajrore e forcave ajrore ruse S-400 thuhet se u shkatërrua në Krimenë Perëndimore një ditë më vonë.

Siç thuhet më tej, sulmet në Krime, e cila është qendra logjistike e Rusisë për forcat e saj në Ukrainën jugore, janë bërë rutinë muajt e fundit në mes të kundërofensive të Kievit për të rimarrë territorin e pushtuar nga forcat ruse.

Dhe sulmet ukrainase thuhet se kanë goditur objektiva ushtarake në një tentim për të dobësuar mbrojtjen e Moskës dhe për të penguar Rusinë nga transportimi i pajisjeve, armëve dhe trupave nga Rusia kontinentale në gadishull.

Lexo po ashtu "Çfarë dreqin po presim?": Boris Johnson kritikon Mbretërinë e Bashkuar për ndihmën dhënë Ukrainës

Në këtë drejtim, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është zotuar të zhbëjë aneksimin e Krimesë nga Putin.

Ndërsa Ukraina nuk mori menjëherë përgjegjësinë për sulmet në zonën Yevpatoria të Krimesë të enjten, Natalia Humeniuk, zëdhënësja e komandës ushtarake jugore, duket se ka lënë të kuptohet për përfshirje nga Kievi, përcjell Telegrafi.

“Përqendrimi i objekteve ushtarake, prania e një aeroporti afër – e gjithë kjo sugjeron se puna po kryhet absolutisht siç është planifikuar. Qëllimet janë legjitime, tërësisht ushtarake”, citohet të ketë thënë Humeniuk në TV kombëtar.

Dhe komandanti i forcave ajrore të Ukrainës, gjenerallejtënant Mykola Oleshchuk, shkroi në kanalin e tij Telegram pas sulmeve të Sevastopolit të së mërkurës: “Ndërsa pushtuesit janë ende duke u rikuperuar nga bombardimet e natës në Sevastopol, unë do të doja të falënderoja pilotët e Forcave Ajrore të Ukrainës për punën e tyre të shkëlqyer luftarake! Do të vazhdojë…”.

Ndërkohë, të hënën, forcat ushtarake ukrainase thanë se kishin rimarrë kontrollin mbi katër platforma strategjike të shpimit të naftës dhe gazit në Detin e Zi pranë Krimesë.

Zhvillimet e kësaj jave janë vetëm një pjesë e një operacioni afatgjatë dhe të sofistikuar nga Ukraina për të hapur rrugën drejt rimarrjes së gadishullit, vlerësojnë ekspertët.

“Sulmet në Krime dhe në platformat e naftës/gazit për të eliminuar radarët, më pas një sulm kompleks me dron/raketë kundër Sevastopolit. Kjo është një qasje shumë e sofistikuar për ta bërë Krimenë të paqëndrueshme për rusët”, ka vlerësuar ish-gjenerali amerikan Ben Hodges përmes një postimi në X, dikur Twitter, te enjten.

Ndryshe, gjenerali në pension i ushtrisë Stephen Twitty, ish-zëvendës komandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së, i tha Newsweek në maj se një përpjekje për të rimarrë gadishullin do të përfshinte marrjen e masave nga Ukraina për të parandaluar Rusinë nga rifurnizimi nga Krimea, qoftë logjistikë apo me trupa. /Telegrafi/