Ish-kongresisti amerikan dhe miku i madh i shqiptarëve, Eliot Engel, ka thënë se dita e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes shtetit të Izraelit dhe Republikës së Kosovës është një ditë e madhe për të dy shtetet.
“Urimet e mia më të përzemërta për shtetin e Izraelit dhe Republikën e Kosovës për vendosjen e raporteve diplomatike. Kjo është një ditë e madhe për të dy vendet”, ka shkruar Engel.
My warmest congratulations to the State of Israel and the Republic of Kosovo on the establishment of diplomatic relations. This is a great day for both countries!!! 🇮🇱🇽🇰🇺🇸https://t.co/w7tIh8VDRK
— Eliot Engel (@RepEliotEngel) February 2, 2021
Edhe ish-emisari i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka cilësuar si historike zyrtarizmi e njohjes së Kosovës nga Izraeli.
Derisa në Kosovë një njohje e tillë po cilësohet si më e rëndësishmja në dekadën e fundit.
Pakënaqësi ndërkohë kanë ardhur nga Bashkimi Evropian, pasi Kosova ka vendosur që të hapë ambasadën në Jerusalem.
Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”.
Në një ceremoni virtuale të mbajtur të hënën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.
Ministri izraelit, Ashkenazi tha se të dyja shtetet po bëjnë histori.
“Sot po bëjmë histori. Po vendosim marrëdhënie diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, një moment që është pritur nga shumëkush. Kjo është hera e parë që marrëdhëniet diplomatike po vendosen përmes Zoom-it. Sot ne kemi mundësi që të rrisim bashkëpunimin me popullin e Kosovës, me të cilin kemi marrëdhënie të ngrohta dhe miqësore”, tha ai. /Telegrafi/