Telegrafi

Vetëvendosje reagon pas vendimit të Supremes: Lista jonë me 110 kandidatë garon në referendumin e 14 shkurtit

Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, ku ka pranuar pjesërisht ankesën e tyre për moscertifikimin e kandidatëve për deputetë, duke lënë kështu jashtë listës zgjedhore Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Bajram Mavriqin.

LVV thotë se vendimi i Supremes i kundërvihej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe se zgjedhjet do të mbahen më 14 shkurt, transmeton Telegrafi.

“E pamë vendimin e fundit të Gjykatës Supreme. Ky vendim i kundërvihej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Zgjedhjet do të mbahen më 14 shkurt, ndonëse ka përpjekje për pamundësimin e tyre. Ankesa në Gjykatën Kushtetuese do t’u jepte shpresë këtyre përpjekjeve. Lista jonë me 110 kandidatë garon në referendumin e 14 shkurtit. Vazhdojmë me aktivitetet tona drejt fitores plebishitare”, thuhet në reagim.

Theksojmë se, Gjykata Supreme ka pranuar pesë ankesa nga subjektet politike të ushtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat janë ndarë me short dhe janë shqyrtuar nga kolegjet gjyqësore brenda afateve ligjore.

Në njoftimin për media thuhet se ankesa e ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme.

“Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.17/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Nr.244-2021, lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në, që kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 14 shkurt. /Telegrafi/