Vendimi i Polonisë për të dërguar aeroplanë luftarakë të epokës sovjetike MiG-29 në Ukrainë është një “vendim sovran” që nuk do ta nxisë presidentin Joe Biden të dërgojë aeroplanë amerikanë F-16, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Kështu raportojnë media si CNN, sipas të cilave, Biden ka thënë se dërgesat e aeroplanëve luftarakë amerikanë nuk janë “në tavolinë” për momentin, megjithëse ai nuk e ka përjashtuar plotësisht këtë.
Premtimi nga Polonia për të dërguar katër aeroplanë, i cili është një “shkëputje” nga partnerët e tjerë të NATO-s, nuk e ndryshon atë vendimmarrje, tha John Kirby, një zyrtar i lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA.
“Kjo nuk ndryshon llogaritjet tona në lidhje me F-16”, citohet të ketë thënë ai.
“Këto janë vendime sovrane që çdo vend duhet t’i marrë dhe ne i respektojmë ato vendime sovrane”, ka thënë ai, duke shtuar se “ata duhet të përcaktojnë jo vetëm atë që do të japin, por edhe si do ta karakterizojnë atë”. /Telegrafi/