Telegrafi

Vendimi për kryeprokurorin, Presidenca publikon dokumentin e dërguar në KPK

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar të martën se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për kryeprokuror të Shtetit, një vit e gjysmë pasi Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur atë për këtë pozitë.

Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se ka pasur “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes” dhe se “është e obliguar, duke pasur parasysh shkeljet, të mos e bëjë dekretimin” e Isufajt për kryeprokuror.

Lexo po ashtu Osmani nuk e dekreton kryeprokurorin Blerim Isufaj, numëron shkeljet ligjore që kanë gjetur gjatë procesit

E nga Presidenca e kanë publikuar edhe dokumentin që Osmani ia ka dërguar Këshillit Prokurorial lidhur me këtë çështje, ku ndër të tjera thuhet se “procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit është përcjellë me raportime e reagime për parregullsi të shumta, nga organizatat e pavarura që kanë monitoruar procesin e zhvilluar në KPK, duke përfshirë edhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët në vazhdimësi kanë mbështetur ndërtimin dhe zhvillimin e sistemit prokurorial në vendin tonë”.

“Sikurse organizatat joqeveritare që e kanë monitoruar procesin, ashtu edhe mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë kanë shprehur shqetësime publike lidhur me integritetin e procesit të zhvilluar nga KPK-ja. Këto shqetësime më janë paraqitur edhe mua nga një numër organizatash që kanë monitoruar procesin e zhvilluar në KPK për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Ekziston një vlerësim i përgjithshëm i këtyre monitoruesve se procedura e zhvilluar në KPK është përcjellë me mosrespektim të disa kritereve dhe parimeve themelore kushtetuese, respektimi rigoroz i të cilave është parakusht për garantimin e një propozimi të ligjshëm për Kryeprokuror të Shtetit, si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve në instancën më të lartë të sistemit prokurorial. Këto vërejtje kanë të bëjnë me dështimin e vlerësimit të duhur të integritetit dhe profesionalizmit të kandidatëve e po ashtu edhe me mosrespektimin e parimit të ligjshmërisë, transparencës, meritokracisë dhe barazisë para ligjit”, thuhet në dokument. /Telegrafi/