Telegrafi

Vendet baltike përshpejtojnë planet për të dalë nga rrjeti elektrik i Rusisë

Tre vendet baltike ranë dakord të përshpejtojnë daljen e tyre nga rrjeti energjetik i Rusisë dhe të lidhen me rrjetin e energjisë kontinentale evropiane deri në shkurt të vitit 2025.

Në një deklaratë të përbashkët, Kaja Kallas, Krisjanis Karins dhe Ingrida Simonyte – kryeministrat përkatësisht të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë – thanë se vendet e tyre do të shkëputeshin sapo të vendosej kapaciteti teknik, raporton skynews.

“Situata e zhvendosur gjeopolitike, si rezultat i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Federata Ruse, gjithashtu ka përkeqësuar ndjeshëm situatën e sigurisë së energjisë në rajon dhe ka rritur rreziqet e desinkronizimit të paplanifikuar të sistemeve të energjisë elektrike të shteteve baltike”, thanë ata.

Lexo po ashtu Shpërthim masiv me HIMARS - Ukraina "hodhi në ajër" qindra ushtarë rusë larg vijës së frontit

Vendet baltike, të cilat dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, aktualisht nuk blejnë energji elektrike nga Rusia, por mbeten të lidhura fizikisht me rrjetin elektrik rus.

Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia ranë dakord me komisionin ekzekutiv të BE-së në vitin 2019 për të koordinuar lidhjen e vendeve baltike me BE-në deri në fund të vitit 2025.

Ndryshe, pushtimi rus i shtetit ukrainas bëri që të tre vendet të përshpejtonin projektin. /Telegrafi/