Bashkim Buxhovi, vëllai i Jusuf Buxhovit, ka njoftuar se ka arritur të largohet nga Kievi i Ukrainës.
Buxhovi ka deklaruar se nuk ka dashur të largohet nga kryeqyteti ukrainas për arsye shëndetësore, por thotë se këtë e bëri pasi e ka kuptuar se dy fëmijët e tij kanë mbetur në rrugë dhe janë në rrezik.
“Nuk dojsha me u largu për shkaqe shëndetësore, por kur mora vesh që dy fëmijët e mi paskan mbet në mes të rrugës dhe se janë në rrezik, menjëherë u ngrita dhe bashkë me të shoqen time u lëshova në këtë aventurë të cilën nuk ia kisha dëshiru askujt në këtë botë”, ka shkruar ai.
Tutje, Buxhovi në Facebook ka shkruar se “me këtë ndjenjë edhe unë mes tyre u maltretova shpirtërisht dhe u këputa fizikisht, por më në fund arritëm deri në vendin kufitar Uzhgorod, dhe tash po pres ndonjë lajm të mirë nga udhëtimi i gjatë i fëmijëve të mi që të bashkohen këtu me ne, e mandej të mendojmë se si me e kalu kufirin e bllokuar me dhjetëra kilometra nga banorët e Ukrainës.
Buxhovi ditë më parë ka thënë se bombardimet ruse po ndodhin shumë afër vendit ku ai është duke qëndruar, ndërsa ka bërë të ditur se nuk po mundet të largohet nga Ukraina për shkak të sëmundjes kronike që ka.
Ndryshe, Rusia është duke vazhduar agresionin në Ukrainë tash e pesë ditë, sulmet e shtetit rus janë dënuar ashpër nga shtetet e Perëndimit, të cilat edhe kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. /Telegrafi/