Site icon Telegrafi

Veliu: LDK-në nuk mund ta ndajë askush, aq më pak Vjosa Osmani

Foto: Arkiv

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), njëherësh nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu ka thënë se deri tani LDK-në s’ka mundur ta ndajë askush, e aq më pak Vjosa Osmani.

Veliu gjatë një vizite që ia bëri Komunës së Gjilanit në një konferencë për media tha se askush nuk mund ta ndajë LDK-në, mirëpo nga LDK-ja mund të ndahen individ, kushdo qofshin ata.

Sipas tij, Osmani me punën dhe veprimet ka kohë që nuk është pjesë e LDK-së, por siç tha ai, ajo vetëm fizikisht ka qenë pjesë e saj.

Lexo po ashtu ​Osmani tregon nëse do të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje

“Në LDK deri tash historikisht është treguar që nuk mund ta ndaj askush, por nga LDK mund të ndahen individ kushdo qofshin ata. Mirëpo LDK-ja është vështirë të ndahet. LDK-ja është parti tepër e organizuar, me  histori tepër të gjatë të veprimit. Është parti politike që iu ka qëndruar shumë stuhive dhe besoj që nuk mund ta ndaj askush LDK-në, e aq më pak Vjosa Osmani e cila ka kohë që punon kundër LDK-së. Ajo ka kohë që me punën dhe veprimet e saj është jashtë LDK-së, por vetëm me trup ka qenë në LDK deri tash”, ka thënë Veliu.

Lexo po ashtu Veliu në mbrojtje të kryeministrit Hoti, i kundërpërgjigjet Vjosa Osmanit

Ndryshe, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani është ndarë përfundimisht me LDK-në. Ajo u shpreh se është shumë vonë për partinë e Isa Mustafës të kërkojë mbështetje nga ajo në rast të zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkaq, e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me LVV-në. /Telegrafi/

Exit mobile version