Telegrafi

Veliu shkon në veri, viziton stacionin e policisë në Zubin Potok

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka vizituar sot veriun e Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur Veliu përmes një shkrimi në Facebook.

Veliu ka thënë se është njoftuar nga afër për punën dhe aktivitetin e stacionit policor në Zubin Potok.

“Sot, bashkë me Zëvendësministrin e MPB-së Milan Radojeviç dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, vizituam Komunën e Zubin Potokut, Stacionin Policor në këtë komunë, si dhe pikën kufitare në Bërnjak. Me këtë rast u njoftova për së afërmi me punën dhe aktivitetet e këtyre institucioneve, sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet Komuna e Zubin Potokut, zyrtarët policorë në këtë komunë, si dhe policët dhe zyrtarët tjerë kufitar, në veçanti gjatë kësaj kohe të menaxhimit të pandemisë COVID-19”, tha Veliu.

Më tej theksoi se me Kryetarin e Komunës së Zubin Potokut, Srdjan Vuloviç është biseduar mbi thellimin e bashkëpunimit të kësaj komune me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet shtetërore në përgjithësi, e në veçanti për nevojën e përforcimit të bashkëpunimit dhe të besimit të qytetarëve të kësaj komune në institucionet tona.

Po ashtu Veliu është pritur edhe nga Komandanti i Stacionit Policor, Zvezdan Milivojevic, i cili thotë se e ka falënderuar për vizitën në komunën e tyre dhe njëkohësisht kërkoj që t’u mundësohet ndërtimi i stacionit të ri policor në këtë komunë.

Ndërkaq, në pikën kufitare të Bërnjakut, Veliu u njoftua nga afër me punën që po bëjnë policët kufitar dhe doganierët në qarkullimin e mallrave dhe njerëzve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, por edhe në zbatimin e rregullave të pandemisë, ashtu si në të gjitha pikat tjera kufitare. /Telegrafi/