Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka thënë se nuk ka ndonjë indikacion apo informacion konkret për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë.
Veliu këto komente i bëri pas takimit që ka zhvilluar me drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmet, më të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon, transmeton Telegrafi.
“Nga Policia e Kosovës dhe Institucionet tjera të sigurisë, kërkova që të bëhen vlerësime të vazhdueshme lidhur me nivelin e sigurisë, kërcënimit nga çfarëdo aktiviteti kriminal, duke përfshirë edhe kërcënimin nga terrorizmi, si dhe konform nevojës dhe vlerësimeve të ngriten masat e sigurisë. Aktualisht nuk ka ndonjë indikacion apo informacion konkret për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë, por as edhe Kosova nuk mund të jetë imune, sikurse nuk janë edhe shtetet më të zhvilluar në rajon e më gjerë”, ka thënë Veliu në një shkrim në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Veliu ka thënë se “institucionet e vendit janë të gatshme që varësisht nga situata të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj kërcënimi ndaj sigurisë së vendit”.
Kujtojmë që në sulmin terrorist në Vjenë, kanë humbur jetën pesë persona, kur një person i armatosur me pushkë automatike filloi të shtie mbi qytetarët që ishin të ulur nëpër kafene në afërsi të një sinagoge.
Është konfirmuar se bëhet fjalë për një 20-vjeçar të lindur në Modling të Austrisë, me prejardhje nga Maqedonia e Veriut. Ai është vrarë nga policia, kurse policia është vënë pas pjesëmarrësve tjerë në këtë sulm. /Telegrafi/