Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, akuzon prokurorin që po heton ndaj tij, Ols Dado, se i ka ndaluar takimet dhe komunikimet me jashtë.
“Momentalisht, përndjekësi i familjes sime për llogari të Sali Fundërrinës, Ols Dado, fytyrën e të cilit ju e patë vetëm një fraksion minute në replikat e turpshme në thertoren e Erion Banit, më ka ndaluar çdo takim e komunikim. Kam vetëm këto pusulla ditore me avokatët, deri ditën kur do mund t’ju përqafoj të gjithëve ju, e të merrem me zë e me figurë me këta burra të paburra”, shkruan Veliaj në një status në Facebook, raporton A2 CNN.
“Disa më çojnë porosi që ta ul pak gjuhën, jo se prokurori ndërtues hakmarrës nuk e meriton, përkundrazi, por që “të mos çmendet më keq dhe ta punon më keq”. Jo se adashi kasap s’e meriton, por që “të mos të të qepet më keq se e ka ves të keq”. Po çfarë mund të më bëjnë më shumë? Të më dënojnë me vdekje? Se në burg jam e jam! Olsi nuk më hetoi, po më hyri nga vrima e çelësit në jetën time dhe në fustanet e gruas time, me një LETER ANONIME që s’është çudi ta ketë shkruar vetë ose ta ketë marrë të shkruar nga maniakët e Sali Fundërrinës!”.
Veliaj thotë se Ols Dado është vegël e Sali Berishës dhe është i vetmi person të cilit kryetari i PD i ka kërkuar falje. “Ols Dados i ka kërkuar falje me zë e me figurë! E kërdisi njëherë për t’ia kujtuar se kush është tutori i Violinës dhe pastaj e përkëdheli me një ndjesë publike përpara se të ma lëshonte mua në kurriz, si ata pitbullët që bëjnë lajm me kafshimet e tyre. Jam sot I VETMI politikan që ka kaluar në labirinthin ilegal të një VETINGU 20 vjeçar. Kam dalë nga labirinthi pa ASNJË shkelje për të përligjur burgun pa gjyq, duke më ndërprerë me dorën e një maniaku dhe thikën e një kasapi kontratën me zgjedhësit”, thotë Veliaj.
“Ndaj, edhe njëherë, për të gjithë ata që “bezdisen” nga gjuha ime. Ju lus të kuptoni që jam në burg, me një letër anonime, një prokuror hajvan dhe një gjykatës taleban. Ata kanë edhe gurin, edhe arrën, edhe rrjetin e gojëve të ndyra të mëngjes-drekë-darkës. Por, mjaft të shihni vendimin më të freskët të Strasburgut për paraburgimin pa gjyq, për të kuptuar që busulla na duhet drejt Europës, e jo drejt kënetës së Sali Bufit, Ols akrepit dhe Ban nepërkës. Shëndet e jetë!”.