Telegrafi

Vela: Në fund të muajit përfundon afati i ankesave, Presidentja do të vendosë për Kryeprokurorin

Shefi i kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka komentuar zhvillimet ne lidhje me (mos) emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ky reagim vjen pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës kërkoi nga Presidentja Osmani dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Vela ka thënë se ky proces nuk ka pasur vonesa, por janë disa procedura ankimore nga disa prej kundërkandidatëve.

“Derisa kjo çështje ka qenë në trajtim fillimisht në Gjykatën Kushtetuese e më pas lënda ka kaluar në gjykata tjera të cilat e kanë trajtuar çështjen, dhe tek më 27 dhjetor është marrë vendim nga Gjykata Supreme”.

Blerim Vela në intervistë me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu

Ai thotë se tashmë ka një situatë të re dhe kundërkandidatët mund të ankohen përsëri në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne i kemi katër muaj kohë. Pra afati është deri në fund të muajit prill. Nëse nuk gaboj deri në 27 prill kundërkandidatët e zotit Isufaj kanë të drejtë ankese, por nuk duam të paragjykojmë nëse ata do të ankohen. Qëndrimi i Presidentes ka qenë publik dhe ne kemi njoftuar Këshillin Prokurorial. Ne nuk kemi dashur të interferojmë në këto çështje derisa ka qenë në Kushtetuese e pastaj në Supreme”.

Lexo po ashtu Vela: Presidentja nuk rrëzohet nga Kushtetuesja, ajo do ta ketë edhe një tjetër mandat

“Sapo të përfundojë ky proces Presidentja në një afat shumë të shpejt do të dalë në publik me vendimin e saj”.

Shefi i kabinetit të Presidencës thotë se Këshilli prokurorial ka përfunduar punën e tij në momentin e nominimit së Isufajt për Kryeprokuror.

“Tashmë kemi një tendencë jashtë çdo norme juridike dhe kushtetuese kur i dërgojnë letër Presidentes për ta dekretuar Kryeprokurorin”.

Vela thotë se nuk ka asnjë tendencë që kjo çështje të politizohet nga ana e Presidencës por sipas tij nuk është mirë as nga këshilli Prokurorial të tentohet të paraqitet si e tillë./Telegrafi/