Site icon Telegrafi

Vela: Lajmi i rremë i Lavrovit se Kosova ka dërguar mercenarë në Ukrainë – pjesë e fushatës për arsyetimin e agresionit të Rusisë

Shefi i stafit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela i ka reaguar ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov i cili tha se militantë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina janë dërguar në Donbass, krahinë e Ukrainës e ndarë mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Moska.

Vela përmes Twitter-it ka thënë se këto lajme të rreme janë pjesë e fushatës dezinformuese.

“Alarm për lajmet e rreme. Akuza e rreme e ministrit rus të Punëve të Jashtme Lavrov se Kosova ka siguruar mercenarë në Donbass është pjesë e fushatës të dezinformatave që kërkon të arsyetojnë agresionin ushtarak kundër Ukrainës. Kosova qëndron me aleatët e saj dhe Ukrainën në mbrojtje të lirisë e demokracisë”, shkruan Vela.

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavror ka thënë se ka militantë nga Kosova dhe pjesë tjera të Ballkanit që po rekrutohen për të çorientuar Rusinë.

“Ka informacione se militantë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina po rekrutohen për të çorientuar Rusinë, që përfshin dërgimin e tyre në Donbass [në Ukrainën lindore]. Ne po punojmë për ta verifikuar këtë tani”, ka thënë Lavorv sot për RT. /Telegrafi/

Exit mobile version