Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vdekjes së një gruaje 41-vjeçare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), e cila humbi jetën si pasojë e lëndimeve të rënda nga dhuna e ushtruar nga bashkëshorti i saj në Graçanicë.
Haxhiu i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës, duke theksuar se rastet e dhunës dhe vrasjet e grave përbëjnë një realitet të frikshëm dhe të papranueshëm.
“Rastet e dhunës dhe vrasjet e grave janë realiteti i frikshëm dhe i papranueshëm dhe po angazhohemi në vazhdimësi që të ngrisim vetëdijen shoqërore me qëllim të parandalimit të rasteve të dhunës dhe femicidit, dhe që dhunuesit dhe vrasësit e grave të marrin dënimet maksimale,” tha Haxhiu.
Ajo theksoi se është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të angazhohen për të krijuar një sistem që garanton trajtimin me seriozitet të çdo rasti të dhunës, duke mbajtur dhunuesit dhe vrasësit përgjegjës për veprimet e tyre.
Prokurori i Shtetit, ka lëshuar urdhëresë për autopsi për të ndjerën, gjithashtu ka paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, në gjykatën kompetente.
Në koordinim të plotë me policinë dhe njësitë relevante janë duke u ndërmarrë veprime hetimore karshi këtij rasti.
Ndryshe, viktima M.Zh., e lindur më 1983, ishte transferuar në Prishtinë nga Qendra Spitalore Klinike në Graçanicë, ku u pranua në gjendje të rëndë mbrëmjen e 31 korrikut./Telegrafi/