I riu K.J., nga fshati Mushtisht i komunës së Suharekës, ka vdekur sot pas plagëve të marra në vendin e punës.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin edhe zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 11:00 ne Stacionin Policor në Graçanicë është hapur një rast për një vdekje të dyshimtë. Sipas raporteve të para rasti ka ndodhë në një kompani private ku në rrethana akoma të pasqaruara një person mashkull 1997, ka humbur jetën në vendin e tij të punës”, ka thënë Ahmeti.
Njësitë policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, bashkërisht me Prokurorin e Shtetit dhe inspektoratin e punës.
Aktualisht janë duke u hetuar rrethanat që kanë sjellë deri te kjo ngjarje.
Trupi i viktimës është dërguar në mjekësinë ligjore për autopsi.
20 vjeçari është raportuar se nuk ka mundur t’i përballojë lëndimet e rënda që ka marrë nga makineria e punës dhe si pasojë ka humbur edhe jetën./Telegrafi/