Telegrafi

Vdes një person pas lëndimeve që mori në Deçan

Foto: Ilustrim

Një person sot ka ndërruar jetë rreth orës 08:30, në Spitalin Rajonal të Pejës pas disa lëndimeve të marra në fshatin Strellc i Ulët, në Deçan.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Sipas tij, nuk dihen ende rrethanat dhe shkaqet e lëndimit të tij dhe më pas të vdekjes, pasi rasti është ende nën hetime.

“Sot rreth 07:55 stacioni policor në Deçan është njoftuar se një person është i lënduar. Policia menjëherë ju ka përgjigjur vendit të ngjarjes, gjithashtu në vendin e ngjarjes ka dal dhe emergjenca e Mjekësisë Familjare. Aty kanë takuar dhe një person të lënduar dhe është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal në Pejë, dhe më vonë diku rreth orës 08:30 ka ndërruar jetë. Të gjitha njësitet policore kanë dal në vendin e ngjarjes. Këto janë informatat që i posedojmë për momentin deri në raportin tjetër”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, Telegrafi mëson se personi që ndërroi jetë është Mustafë Hasanaj, ish-drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Deçanit.

Pas vdekjes së Hasanajt ka reaguar edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.

“Lajmi i hidhur për të gjithë ne, që të njohëm e punuam bashkë me ty. Mustafa ishte  njeriu i veçantë, bashkëpunëtor shembullor, të gjithë kemi garuar disi mes vete ta kemi shok. Pusho i qetë në jetën e pasosun Mustafë Hasanaj. Ngushëllime për të gjithë që e njohën”. /Telegrafi/