Site icon Telegrafi

Vdes 45-vjeçarja që u godit nga vetura ditë më parë në Obiliq

Foto: Ilustrim

Ka vdekur 45-vjeçarja me inicialet N.B, e cila ishte aksidentuar nga një veturë të premten e kaluar në Obiliq.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Ajo ka bërë të ditur se viktima ka ndërruar jetë këtë të enjte në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ishte duke u trajtuar tash e gjashtë ditë.

“Sot rreth orës 01:30 e kemi pranuar informatën nga QKUK-ja se ka ndërruar jetë këmbësorja N.B. 45 vjeç.  Bëhet fjalë për këmbësoren e cila u aksidentua me datën 09 dhjetor 2022 në rrugën Hasan Prishtina në Obiliq”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshe, bashkë me 45-vjeçaren në këtë aksident lëndime të rënda ka pësuar edhe një këmbësore tjetër.

Për të mësuar për gjendjen e saj, Telegrafi ka provuar të kontaktojë me Shaqir Ukën, shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK, por i njëjti ka qenë i paqasshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version