Në orët e paradites të së martës ka vdekur Jeff Bieley, miku i madh i Kosovës. Ngushëllime të shumta për vdekjen e tij kanë shprehur zyrtarë, miq të Bieleyt, përfaqësues të organizatave e gazetarë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Bieley për më shumë se dy dekada ia kushtoi punën e tij ndërtimit të miqësive dhe lidhjeve të qëndrueshme me Kosovën dhe për të ndihmuar vendin tonë të bëhet një demokraci e qëndrueshme.
“Jemi të trishtuar për humbjen e një miku të madh të Kosovës, Jeff Bieley. Për më shumë se dy dekada, Jeff ia kushtoi punën e tij ndërtimit të miqësive dhe lidhjeve të qëndrueshme me Kosovën dhe për të ndihmuar vendin tonë të bëhet një demokraci e qëndrueshme.
Trashëgimia e tij e mirësisë dhe përkushtimit do të vazhdojë. Pusho në paqe, Jeff”, shkruan e para e shtetit.
Today, we mourn the loss of a great friend of Kosovo, Jeff Bieley.
For over two decades, Jeff dedicated his work to building lasting friendships and connections with Kosovo and to helping our country become a resilient democracy. His legacy of kindness and commitment will… pic.twitter.com/u84K3vja3f
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) July 23, 2024
Pas vdekjes së mikut të madh të Kosovës, ka shkruar edhe OSBE, ku Bieley ka punuar së fundi.
“Me dhimbje të thellë mësuam për vdekjen e parakohshme të kolegut tonë të vjetër Jeff Bieley. Gjatë kohës së tij në OSCE dhe misione të tjera ndërkombëtare, ai kontribuoi shumë në zhvillimin e Kosovës.
Ngushëllime të sinqerta miqve dhe familjes së tij të shumtë!”, thekson OSBE.
Pas vdekjes së Jeffit ka shkruar edhe ish-ambasadori Lulzim Peci.
“Sot, Kosova e humbi një mik të madh, Jeff Bieley, i cili më shumë se dy dekada e gjysmë ia përkushtoi Kosovës dhe shqiptarëve në rajon!
Ndërsa unë e humba një mik shumë të dashur dhe të posaçëm, i cili do të mbetet përherë në zemrën dhe mendjen time! Të falënderohem miku im për miqësinë tënde dhe krejt çfarë ke bë për vendin tonë!
Pusho në paqe Jeff i dashur! Ngushëllimet më të thella familjes Bieley!”, shkruan Peci.
Jeff Bieley, mik i Kosovës ka ndërruar jetë në orët e paradites të së martës në Florida.
Bieley ka qenë zëdhënës i OSBE-së, zëvendësshef i ICO-s për veriun, shef i Zyrës Politike të OSBE-së në Kosovë, etj.
Ndërkaq, gjatë luftës në Kosovës, ai ka punuar si gazetar dhe raportues për media ndërkombëtare. /Telegrafi/