Telegrafi

Vdekja e Lear Kurtit, Prokuroria: Në qesen e gjetur në stomak kishte kokainë

Prokuroria e Tiranës thotë se në bazë të aktit të ekspertimit të kryer mbi Lear Kurtin, 32-vjeçarin e vdekur disa ditë më parë në rrethana të paqarta pasi po shoqërohej në komisariat, janë gjetur gjurmë kokaine, në një qese të nxjerrë nga stomaku i viktimës.

Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për veprën “kryerje e veprimeve arbitrare” dhe “Mosdhënia e ndihmës”.

“Deri në këtë fazë të hetimit, janë administruar kartela mjekësore e shtetasit Lear Kurti, procesverbali i këqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qendrës Spitalore Universitare e Traumës, janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit shtetasit që kanë qenë prezent me viktimën dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me shtetasin Lear Kurti”, thuhet në njoftim.

“Po kështu, është administruar akti i ekspertimit kimik i kryer nga një grup prej 5 (pesë) ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

“Në vijim të veprimeve të tjera, grupi hetimor, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Lear Kurti, do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero/mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje”, ka shtuar prokuroria.

Vdekja e Kurtit shkaktoi reagime të forta në drjetim të policisë. Pas ngjarjes janë pezulluar nga detyra tre policë. /Telegrafi/