Site icon Telegrafi

Vdekja e 56 vjeçarit nga Lipjani, policia interviston personelin mjekësor dhe dëshmitarët

Një person i moshës 56 vjeç nga Lipjani, ka ndërruar jetë në QKUK pasi që ishte sjellë nga QKMF në Lipjan.

Policia në raportin 24 orësh ka dhënë detaje të tjera lidhur me këtë rast, ku dyshohet se viktima ndërroi jetë si pasojë e neglizhencës nga ana e mjekëve.

“Nga QKUK është raportuar se viktima mashkull kosovar i cili është sjell nga qendra e mjekësisë familjare në Lipjan  ka ndërruar jetë. Njësitet e hetuesisë kanë intervistuar dëshmitarët dhe personelin mjekësorë. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

Lexo po ashtu Policia po heton vdekjen 56-vjeçarit, që nuk mori trajtimin e duhur në QKMF në Lipjan

Në media është raportuar se viktima me dhimbje në gjoks kishte kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF në Lipjan, por aty nuk kishte marrë tretmanin e duhur, pasi mjeku nuk i kishte kryer ekzaminimin EKG.

Pas raportimit të rastit në media, drejtori komunal i Shëndetësisë në Lipjan, ka suspenduar nga puna mjekun e përgjithshëm Faruk Gashi, pasi i njëjti duke neglizhuar punën e ka kthyer prapa një pacient dhe nuk ia ka bërë ekzaminimin EKG duke e gënjyer se aparati është jashtë funksionit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version