Telegrafi

Prokuroria po heton rastin e vdekjes së 34-vjeçares

Mëngjesin e së enjtes dyshohet se një grua 34-vjeçare ka vdekur në rrethana ende të paqarta.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë konfirmuar se janë duke e hetuar rastin e vdekjes.

Policia ka njoftuar se janë duke u marr me rastin.

“Sot në stacionin policor të Graqanicës është iniciuar një rast hetim mbi vdekjen, ku viktimë është një femër 34 vjeç, vdekjen e së cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë  ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.

Prokuroria e Shtetit ka thënë se pas njoftimit të policisë, prokurori kujdestar ka dalë në vend ngjarje.

“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Me urdhër të njëjtit trupi i pa jetë është dërguar në IML për t’iu bërë obduksioni, ndërsa rasti është iniciuar “hetim mbi vdekjen”,  thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ndërsa A. Kameri, 34 vjeç ka qenë pronare e një biznesi për rregullimin e thonjve.

Në profilin e saj në Facebook, më 10 nëntor, ajo kishte shpërndarë një intervistë që e kishte dhënë për RTK-në, pasi kishte fituar çmimin e katërt në kampionatin botëror të estetikës që ishte mbajtur në Napoli të Italisë.

Në këtë intervistë ajo ka thënë se po në këtë kampionat e kishte fituar çmimin e parë kur ishte mbajtur në Tiranë.