Dejan Lovren e cilëson vetën në mesin e mbrojtësve më të mirë në botë, në nivel me Sergio Ramosin.
Ylli korat më herët kishte thënë se mbrojtësi spanjoll e ka më të lehtë te Real Madridi, pasi spanjollët në vitet e fundit kanë qenë fantastik në fazën sulmuese dhe kur sulmuesit shënojnë, gabimet e mbrojtësve minimizohen.
Pas këtyre komenteve dhe shumë tjerave, rivaliteti mes dyshes vazhdoi edhe para, gjatë dhe pas ndeshjes mes Përfaqësueses së Spanjës dhe Kroacisë.
Lovren pas fitores së kroatëve ishte futur transmetim të drejtpërdrejt në Instagramin e tij dhe në bashkëbisedim me tifozët kishte fyer Ramosin dhe lojtarët spanjoll.
Në mesin e tjerave ishte mburrur se ka goditur me bërryl mbrojtësin spanjoll 32-vjeçar.
Ramos nuk e ka komentuar këtë, por ka ndjekur një tjetër mënyrë për t’iu përgjigjur.
Sergio ka pëlqyer një foto montazh në Instagram ku shikohet Lovren i dëshpëruar, kurse ai me trofeun e Ligës së Kampionëve. Kujtojmë se finalja e fundit në LK i takoi Realit, të cilën e fituan ndaj Reds me rezultat 3-1. /Telegrafi/