Site icon Telegrafi

Vazhdon rekordi i Lukakut, sulmuesi hedh fokusin te skuadra

(Foto: Lars Baron/Getty Images/Guliver)

Që nga transferimi te Interi, Romelu Lukaku është transformuar nën urdhrat e Antonio Contes duke rezultuar mjaft i rrezikshëm përballë portave kundërshtare.

Të hënën mbrëma, ai realizoi dy gola në fitoren prej 5-0 kundër Shakhtar Donetskut në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Evropës, me ç’rast Nerazzurrët u kualifikuan në finale ku do të luajnë kundër Sevillas.

Në këtë mënyrë, sulmuesi belg është bërë futbollisti i parë që shënon në 10 ndeshje radhazi të Ligës së Evropës (Kupës UEFA) duke e zgjatur kështu rekordin e tij.

(Foto: Sascha Steinbach/Pool via Getty Images/Guliver)

Për më shumë, me dy golat ndaj Shakhtarit, ai e ka ngritur në 33 numrin e përgjithshëm të golave në këtë sezon në të gjitha garat.

Lexo po ashtu Dieta e re, skuadra e ndërtuar përreth tij dhe bashkëpunimi me Lautraron: Si Conte e ‘ringjalli Lukakun nga mbipesha që e kishte te United?

“Mendoj se tash për tash gjithçka po shkon mirë, është e këndshme kur i thyen rekordet, mirëpo në fund të ditës, ne jemi këtu për të fituar dhe skuadra ndaj të cilës luajmë konsiderohet favorite”, është shprehur Lukaku për BT Sport.

Finalja e Ligës së Evropës ndërmjet Interit dhe Sevillas zhvillohet të premten mbrëma. /Telegrafi/

Exit mobile version