Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar deklaratën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili gjatë ditës pranoi se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit në vitin 2021.
Isufaj po ashtu deklaroi se nuk është çështje e Kurtit ngritja e aktakuzave, pas kritikave të kryeministrit se ka mungesë të tyre lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se është për të habitur fakti se edhe pse Radoiçiq e ka pranuar pjesëmarrjen në këtë sulm, ende nuk ka aktakuzë.
“Nuk e di a e ndani edhe ju me mua habinë se si është e mundur që Milan Radoiçiq e pranon që e ka kryer krimin e nuk ka aktakuzë. Unë besoj se as nuk nuk ka nevojë të kryhet fakulteti juridik e as nuk ka nevojë me bë Bachelor, Master apo PhD dhe as nuk ka nevojë me qenë as gjyqtar e prokuror por vetëm arsyeja e shëndoshë normale e qytetarit të Kosovës e identifikon një absurditet të tillë”.
“Informacionin që e ka sjellë AKI, Policia e Kosovës dhe ju si gazetarë në Banjskë është enorm. Ndërkaq shumica e qytetarëve të Kosovës nuk ja dinë emrin prokurorit që merret me rastin e Banjskës në Zveçan”, është shprehur Kurti.
Këto deklarata ai i ka bërë të premten teksa bashkë me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar Telekomin e Kosovës për t’u njohur me sfidat dhe sukseset e kompanisë gjatë këtij viti.
Gjatë konferencës me gazetarë, kryeministri është pyetur edhe në lidhje me faturat e larta të energjisë elektrike. Ai ka thënë se ende nuk i ka ardhur fatura për muajin dhjetor, prandaj nuk është në dijeni nëse ka rritje të çmimit.
“Fatura e energjisë elektrike për muajin dhjetor nuk më ka ardhur ende. Por, ky është Telekomi, jo KEK-u, e ke parasysh?”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/